Përmes një komunikate për media ‘Festivali Ndërkombëtar i Filmit BERLINALE’, njoftoi për pjesëmarrjen e filmit ‚Në Mes‘, të autorit Samir Karahoda në garën ndërkombëtare të filmave të shkurtër “Berlinale Shorts”.
Autori i filmit Samir Karahoda, në një prononcim për media është shprehur i lumtur që filmi i tij debutues si regjisor, është vlerësuar nga ky festival prestigjioz: “Nuk e di si ta përshkruaj ndjenjën dhe gëzimin për vlerësimin e filmit nga një festival siç është Berlinalja, sidomos kur bëhet fjalë për film debutues. Përzemërsisht dua të falënderoj secilin protagonist pa të cilët ky film nuk do të ishte i mundur si dhe ekipin të cilët u përkushtuan dhe kontribuan me zemër në formimin e kësaj vepre”, theksoi autori Karahoda.
E nga ana tjetër, producenti i filmit, Eroll Bilibani theksoi që ky fakt edhe njëherë dëshmon për kapacitetet kreative të kinematografisë Kosovare: “Të jesh pjesë e një projekti kaq kreativ dhe të punosh me një ekip kaq professional, është me të vërtet nder dhe privilegj. Edhe pse filmi në fazën fillestare ishte paraparë në formë eksperimentale, Samiri përmes gjuhës filmike me mjeshtri ka arritur t’i pasqyroj kontekstin antropologjik, shoqëror dhe arkitektural të një fenomeni të përhapur në Kosovë”, theksoi producenti Bilibani.
Premiera e filmit “NË MES” në festivalin më prestigjioze në botë, Berlinale, do të prezantohet me datën 12 Shkurt!