Qumështi i gjirit përmban qeliza të shumta imunitare dhe faktorë anti-bakterial,të cilët forcojnë sistemin imunitar të fëmijës, dhe jo më kot qumështi i gjirit cilësohet si mrekullibërës, sepse përveç tjerash, foshnjës i ofron siguri dhe dashurinë e nevojshme.
Për rëndësinë jetike që ka gjidhënia, nga sot( 01 gusht) deri më 07 gusht, bota kthen vëmendjen kah dobitë e shumta që ka ky proces për fëmijën dhe nënën, përmes aktiviteteve të ndryshme vetëdijesuese.
Ndër nënat që periudhën e gjidhënies e konsideron si të magjishme dhe njohuritë e shumta që ka për të gjitha dobitë e qumështit të gjirit, dëshiron t’i ndajë edhe me nënat dhe familjarët tjerë, është znj. Fitesa Asllani Ibrahimi, e cila tash e disa vite ofron këshilla të shumta përmes grupit të saj në facebook “Mirësitë e gjidhenies”. Për Radio KFOR-in, znj. Asllani Ibrahimi ofroi informacione më shumë rreth grupit respektiv, ku mes tjerash nënvizoi: ‘’Grupi jonë ’’Mirësitë e gjidhenies”,i cili është aktiv që nga vitit 2013, është një shtëpi virtuale me plot nëna e fëmijë, në të cilën jetoj paralelisht me shtëpinë time reale. Krijimi i grupit erdhi shumë natyrshëm, nga dëshira që të ndaj ato që i mësova nga përvoja dhe ato që i gjeja nga burime shumë të sigurta. Pavarësisht se një numër i madh nënash informohen dhe përkrahen, çdo ditë dhe natë, akoma ka punë për të ngritur vetëdijen dhe për t’i mundur informatat e gabuara, që fatkeqësisht qarkullojnë mes nesh. Ne mundohemi që përveç ndihmës nga nënat për nënën, të ofrojmë edhe ndihmë profesionale nga mjekë pediatër, farmacistë dhe infermiere të mirë informuar për gjidhënien’’, tha znj.Asllani Ibrahimi.
Fëmija që ushqehet me qumësht gjiri, merr nga nëna të gjithë antitrupat e nevojshëm për mbrojtje imunitare, ngrit dhe zhvillon në mënyrën më të mirë sistemin imunitar. Shumë infeksione por edhe vdekje të fëmijëve parandalohen falë ushqyerjes me gji, pas moshës 1 vjeçare. Sipas përfundimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), një rritje në normat e ushqyerjes me gji, mund të parandalojë deri në 10% të vdekshmërisë së fëmijëve nën moshën pesë vjeçare.