Ethet hemorragjike, që shkaktohen si pasojë e pickimit të rriqrave, me fillimin e ngritjes së temperaturave, nga muaji prill deri në muajin shtator, prekin edhe disa komuna në Kosovë.
Malisheva mbetet një nga komunat me rastet më të larta të pickimit të rriqrave. Rreth kësaj teme, Radio KFOR-i zhvilloi një intervistë me drejtorin e drejtorisë për shëndetësi dhe mirëqenie sociale në këtë komunë, z. Hajdin Berisha: “Për momentin gjendja në Malishevë është e qetë, megjithëse kemi pasur disa persona që janë pickuar nga rriqrat por pa rrezik për jetë. Masat që janë paraparë nga komuna në parandalimin dhe luftimin e etheve hemorragjike, janë ndërmarrë duke sensibilizuar dhe u rikujtuar qytetarëve tanë, rreth kujdesit ndaj rriqrave. Pastaj është faza e dezinsektimit publik, që planifikojmë të ndodhë nga mesi i muajit maj.”
Në tetë vitet e fundit në Komunën e Malishevës nuk ka pasur vdekje nga ethet hemorragjike apo raste me rrezikshmëri të lartë, tha ndër të tjera z. Berisha, derisa tregoi se gjatë një viti kanë rreth 800 deri në 1.000 raste të personave nga pickimi i rriqrave.
Instituti Kombëtar i Kosovës në vazhdimësi rekomandon qytetarët që gjatë kësaj sezone të mos qëndrojnë gjatë në livadhe dhe vende me shkurre, mirëpo nëse patjetër duhet të jeni të pranishëm në këto vende në natyrë, pajisuni me rroba të gjata dhe pantallonat e gjata fusni nën çorapë, përdorni preparate me të cilat lyejmë pjesët e trupit që i dëbojnë insektet nga trupi i njeriut, e sidomos në pjesët e zbuluara të trupit, (shuplaka, qafë) dhe kur të ktheheni në shtëpi, kontrolloni trupin nëse keni ndonjë rriqër.