American Advising Center (AAC) qendra zyrtare në Kosovë e rrjetit EducationUSA, po organizojnë edhe këtë vit ‘Javën e Arsimimit Ndërkombëtar’. Prej sot (16 nëntor) e deri më 20 nëntor, studentët do të kenë rastin të informohen për mundësi të shumta për të studiuar në vende të ndryshme të botës, nëpërmes platformës së video komunikimit ‘Google Meet’, në liqet që mundi ti gjeni në faqen zyrtare të AAC në Facebook. Këshilltari akademik në AAC, Erëblir Kadriu, në një bisedë për Radio KFOR-in, ka treguar për aktivitetet e shumta që do të organizohen në kuadër të javës së arsimit ndërkombëtar: “Gjatë Javës së Arsimit Ndërkombëtar 2020, American Advising Center, në bashkëpunim me bashkëpunëtorë të shumtë, kanë organizuar disa aktivitete, virtuale, për të gjithë nxënësit dhe studentët nga Kosova, të cilët janë të interesuar që të studiojnë në SHBA ose në universitete amerikane ndërkombëtare në botë. Të gjithë të interesuarit mund të ndjekin aktivitete të shumta që përfshijnë uebinare, sesione informative, diskutime, prezantime virtuale dhe informacione të tjera rreth mundësisë për të studiuar jashtë Kosovës.”
AAC është qendra e vetme në Kosovë e autorizuar për të administruar teste – iBT TOEFL, SAT, GRE dhe LSAT dhe mbështetet nga Departamenti i Shtetit Amerikan, përmes Ambasadës Amerikane në Kosovë.