Profesorët dhe studentët e departamentit të Psikologjisë në Universitetit të Prishtinës, me mbështetjen e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë dhe Zyrën e Vullnetarëve të Kombeve të Bashkuara (UNV) në Kosovë, kanë lansuar fushatën ‘Fol me mu për shëndetin mendor’.
Në komunikatën për media të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë dhe Zyrës së Vullnetarëve të Kombeve të Bashkuara (UNV) në Kosovë, thuhet se ky program ka për synim ofrimin e këshillave, kujdesit, resurseve dhe edukimit për mirëqenien e njerëzve të ndikuar përgjatë pandemisë së ‘COVID-19’: “Fushata “Fol me mu për shëndetin mendor”, përfshin një seri të uebinarëve me tema të shumta psiko-edukuese të ofruara nga profesorë të psikologjisë, si burime të konfirmuara për edukimin e njerëzve që kanë brenga të ndryshme rreth shëndetit mendor, një linjë telefonike për ndihmë që është në dispozicion falas prej 11:00 – 22:00, po ashtu një ueb faqe shendetimendor.org, ku qytetarët do të mund të marrin këshilla për përmirësimin e shëndetit mendor, apo të mësojnë për aktivitetet rreth tejkalimit të problemeve me stresin, gjumin, frymëmarrjen, mendimet negative apo të ngjashme. Kjo uebfaqe është e dedikuar për këshilla dhe resurse si dhe një seri të videove informative për tejkalimin e problemeve të mundshme që lidhen me shëndetin mendor”, thuhet ndër të tjera në këtë komunikatë për media.
Për më shumë informata rreth fushatës ‘Fol me mu për shëndetin mendor’, të interesuarit mund të vizitojnë faqen shendetimendor.org ose kanalet në rrjetet sociale: Facebook: facebook.com/mbeshtetu dhe Instagram: instagram.com/mbeshtetu.
Po ashtu në kuadër të kësaj fushate, është hapur edhe linja telefonike 038 200 808 90. Linja ‘Mbështetu’, është pa pagesë dhe e hapur për të gjithë personat që kanë nevojë të bisedojnë rreth shqetësimeve të tyre.