Tashmë në Gazetën Zyrtare është publikuar ligji për Pandeminë, i njohur me emrin zyrtar si “Ligj për parandalimin dhe luftimin e pandemisë ‘COVID-19’, në territorin e Kosovës”, me anë të së cilit parashihet rregullimi i anës ligjore për parandalimin dhe luftimin e pandemisë.
Janë të saktësuara edhe gjobat me të cilat do të dënohen shkelësit e këtij ligji, ku gjoba prej 35 euro, është për personat fizikë, për mos mbajtje të maskës dhe distancës fizike, ndërsa shuma 2.000 euro, është për personat juridik që thyejnë këto rregulla. “Personi juridik që organizon aktivitete të ndaluara me vendim të Organit Kompetent dënohet me gjobë prej dy mijë (2000) euro dhe ndalimin e aktivitetit, ndërkaq personi përgjegjës i personit juridik dënohet me gjobë me dymijë (2000) euro”, thuhet në nenin 25, pika 1 të Ligjit për Pandeminë.
Me nga 500 euro, parashihet të gjobiten ata që nuk respektojnë karantinën si dhe personat juridik që nuk krijojnë hapësirën për distancë fizike.