Orkestra e Filharmonisë së Kosovës po e organizon koncertin e radhës, që pritet të mbahet me datën 27 prill dhe do të dirigjohet nga mjeshtri italo-britanik Dario Salvi dhe do të përfshijë dy vepra nga dy kompozitorë romantik.
Mbrëmja do të hapet me “Koncert nr. 1 për piano dhe orkestër” nga Chopin-i, me pjesëmarrjen e pianistes së talentuar shqiptaro-zvicerane Alba Shkreli, ndërsa pjesa e dytë do të sjellë Simfoninë Nr. 5 nga kompozitori gjerman Felix Mendelssohn.
Alba Shkreli, 23-vjeçare, është një nga pianistet më të dalluara të gjeneratës së saj në Evropë, e cila ka fituar konkursin “Steinway” në Zvicër.
Dario Salvi do të rikthehet në Prishtinë, mirëpo kësaj radhe për ta drejtuar Orkestrën Simfonike, ndryshe nga koncerti i Orkestrës Frymore, që u mbajt në nëntorin e shkuar. Ai është laureat i Çmimit Globi i Artë “Riccardo Drigo” për muzikë baleti në vitin 2023 dhe ka një diskografi me rreth 25 regjistrime në Naxos Records, me mbi një milion dëgjues në vit në Spotify si dhe gjysmë milion dëgjues në Apple Music.