Tash e disa muaj edhe në Kosovë janë anuluar të gjitha aktivitetet, qoftë ato kulturore, sportive e të tjera, megjithëse shumica prej tyre tashmë po realizohen në mënyrë virtuale, përmes rrjeteve sociale.
Mundësinë e tillë online po e shfrytëzon edhe Filharmonia e Kosovës, e cila që nga data 9 prill, ka filluar transmetimin e koncerteve të Korit dhe Orkestrës.
Menaxheri i Filhamornisë së Kosovës, Dardan Selimaj, në një prononcim për Radio KFOR-in, tregoi më shumë rreth transmetimit të këtyre koncerteve online: “Tashmë edhe ne po i shfrytëzojmë platformat online për të transmetuar për dashamirët e muzikës klasike koncerte, të cilat janë mbajtur ndër vite, por që nuk janë transmetuar në TV më herët, prandaj ne do t’i transmetojmë ato në faqen tonë zyrtare, në Facebook.”
Koncerti vijues i Filharmonisë së Kosovës, do të transmetohet online, me datën 03.05.2020, duke filluar nga ora 20:00, në faqen e facebookut të Filharmonisë, me dirigjentin indonezian, Noorman Widjaja.
Koncertet do vazhdojnë të transmetohen çdo të enjte dhe të diele, deri në rikthimin e gjendjes normale në vend.