Festat e fund vitit janë argëtuese për të gjithë ne, por shpesh pjesë e këtij argëtimi bëhen edhe fishekzjarrët, të cilat duhet të përdoren me shumë kujdes. Nga njëra anë, ato janë shumë të bukura për tu parë, por nuk duhet të harrojmë se fishekzjarrët mund të jenë edhe tepër të rrezikshme.
Përveç ndikimit negativ në shëndetit e njeriut dhe në ndotjen e ambientit, fishekzjarrët u shkaktojnë dëme edhe kafshëve, meqë këto qenie nuk e kuptojnë se çfarë janë fishekzjarrët dhe në momentin që ka shpërthime të forta, instinktet e tyre aktivizohen, duke u thënë atyre se duhet të vrapojnë dhe të fshihen për siguri.
Mjetet piroteknike, nëse përdoren pa kujdes, mund të rrezikojnë të pranishmit në shumë forma. Duke filluar nga djegia e lëkurës, dëmtim të syve apo dëgjimit si dhe dëmtim të gjymtyrëve të trupit. Edhe tymi i liruar pas shpërthimit të mjeteve piroteknike është toksik, meqë përmban: hekur, titanium dhe bakër dhe për faktin që ne ekspozohemi për kohë të shkurtët në këtë ajër, mushkëritë tona i bartin pasojat më vonë.