Viti 2020 po përfundon rrugëtimin e tij, e bashkë me të shpresojmë edhe sfidat e mëdha që e karakterizuan atë.
Gjatë këtij viti, pandemia ‘CoViD-19’ na detyroi që të shmangim përqafimet ndaj njëri tjetrit, të mbulojmë fytyrën, duke na privuar nga manifestimi i ndjenjave dhe emocioneve tona të vërteta, e po ashtu na bëri që të mos kemi mundësi të mblidhemi bashkë dhe të mbajmë distancë ndaj njëri tjetri. Sigurisht që të gjitha këto privime, ishin dhe vazhdojnë te jenë në dobinë tonë, për të mos u bërë 1 shifër më shumë, në listën e të infektuarve me këtë virus.
Për të pasur festa të sigurta, në këtë fundvit, mikrobiologu Lul Raka, përmes Radio KFOR-it bënë sërish thirrje për kujdes të shtuar: “Pushimet janë të rëndësishme, por shëndeti juaj dhe shëndeti i familjarëve tuaj, veçanërisht ata që janë më të ndjeshëm, duhet të jenë prioritet gjatë kësaj periudhe. Planifikoni të kaloni festat e fundvitit me sa më pak njerëz të jetë e mundur, vetëm me rrethin e ngushtë familjar. Zbatoni masat parandaluese: distancën fizike, barti maskë dhe mbani higjienën e duarve. Ulni në minimum kohën e kaluar në mjedise të mbyllura dhe ventiloni hapësirat e përbashkëta”, apelon mikrobiologu Raka.
Prandaj, bëhuni të përgjegjshëm dhe festoni duke e ruajtur veten dhe rrethin tuaj.