E themeluar në vitin 1994, nga filantropi dhe shkrimtari britanik, William Sieghart sot, shënohet “Dita e Poetëve” apo ndryshe e njohur edhe si ‘Festa magjike’, e cila na e kujton fuqinë e fjalës së shkruar dhe ndjenjën që ajo mund të zgjojë. Dita e sotme u krijua për të nderuar artin e poezisë dhe për të inkurajuar njerëzit që të lexojnë, të shkruajnë dhe të ndajnë vargje, kudo që të jenë: në autobus, rrugë, shkollë, natyrë apo në kafene.
Poezia është më shumë se fjalë të bukura, është shprehje e ndjenjave më të thella, është ritëm, është imazh, është zë i shpirtit.
“Dita e Poetëve” është një moment për të kujtuar, se poet, nuk është vetëm ai që boton libra, por çdo njeri që ka ndjerë nevojën të shprehë ndjenjat në letër. Është një ditë për t’iu dhënë zë atyre që ndihen të padukshëm, për të rikujtuar rëndësinë e artit dhe për të sjellë pak më shumë ndjeshmëri në një botë gjithnjë e më të zhurmshme. Siç thotë edhe themeluesi i kësaj dite, William Sieghart “Ka miliona poetë të talentuar që meritojnë të dëgjohen”. Kështu që, në këtë ditë të veçantë, mos ki frikë të jesh poet, qofsh i njohur apo fillestar, sepse çdo varg i ndjerë është një hap më pranë kuptimit të kësaj bote.







