Më 14 janar, vende nga e gjithë bota shënojnë ‘Ditën Botërore të Logjikës’, dedikuar promovimit të logjikës si disiplinë shkencore dhe si mjet thelbësor për mendimin kritik. Universitetet, institucionet kërkimore dhe organizatat edukative gjatë kësaj dite, organizojnë ligjërata, panele diskutimi dhe konkurse për nxënës e studentë, duke theksuar rëndësinë e logjikës në shkencë, matematikë, teknologji e filozofi.
Sipas organizatorëve, qëllimi i kësaj dite është të nxisë aftësitë analitike, argumentimin racional dhe përdorimin e mendimit të strukturuar në zgjidhjen e problemeve të përditshme. ‘Dita Botërore e Logjikës’ mbështetet nga komunitete akademike në të gjithë botën, të cilat zhvillojnë aktivitete ndërdisiplinore, nga logjika formale e deri te aplikimet e saj në inteligjencën artificiale.
Me pjesëmarrje në rritje çdo vit, ‘Dita e Logjikës’ po kthehet në një moment të rëndësishëm për të reflektuar mbi rolin e logjikës në shoqërinë moderne dhe për të promovuar edukimin cilësor në fushat STEM.







