Këtë javë pritet të fillojë edicioni i 8-të me radhë, i festivalit feminist ‘FemArt’, duke filluar nga data 15 deri me 20 tetor, në Prishtinë, me moton ‘Solidaritet dhe Qëndrueshmëri’. Ky festival mbron dhe përkrah përmes artit dhe aktivizmit, fuqizimin e grave dhe vajzave duke përcjellë mesazhin e barazisë gjinore, kulturore, personale dhe shoqërore të grave në vend.
Për të mësuar më shumë rreth programit dhe konceptit të këtij edicioni, Radio KFOR-i zhvilloi një intervistë me drejtoreshën e festivalit ‘FemArt’, Zana Hoxha, e cila shpalosi detaje nga programi i këtij viti: “Këtë vit festivali ‘FemArt’, duke marrë parasysh pandeminë ka pësuar një ndryshim. Këtë vit do të organizojmë një edicion që është kryesisht i bazuar në prodhimet e artisteve vendore dhe për këtë arsye do të kemi vepra të reja artistike, që do të pasurojnë kreativitetin dhe qasjen e artisteve nga Kosova, duke krijuar mundësi dhe hapësirë fizike dhe financiare. Për ne ka qenë e rëndësishme që të adresojmë temën e solidaritetit dhe qëndrueshmërisë së grave në kohëra të vështira, duke marrë parasysh sfidat që kemi që ndërlidhen me mirëqenien, shëndetin mendor dhe fizik dhe mungesën e duhur institucionale që kanë artistet në këtë kohë. Mesazhi kryesor i festivalit tonë është që të kemi më shumë solidaritet mes vete dhe të ndihmojmë njëra-tjetrën, sidomos për grupet e margjinalizuara, që këto grupe të marrin përkrahjen e duhur dhe arti i artisteve kosovare do të vazhdojë edhe në kohëra të vështira të tregojë vlerat e jashtëzakonshme.”
Festivali do të realizohet në disa lokacione në Kosovë, që përfshinë hapësirat publike si, Teatri Oda, Galeria e Fakultetit të Arteve në Prishtinë dhe një pjesë e Festivalit do të jetë në formatin online, nga faqja zyrtare e festivalit në Facebook. Në këtë edicion do të ketë ekspozita, shfaqje teatrale, punëtori dhe diskutime të ndryshme. Ky aktivitet zhvillohet në përputhje me “Manualin për mbrojtje nga përhapja e virusit COVID-19” dhe kërkohet nga të gjithë pjesëmarrëset/sit, që të respektojnë të gjitha masat për mbrojtje nga ‘Covid-19’, duke mbajtur maskat dhe distancën.