Sonte (5 dhjetor), nga ora 19:00, me një mbrëmje të veçantë muzikore, përmbyllet edicioni i 13-të i “Vihuela Guitar Festival”, ku në skenën e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve – Atelieja, do të ngjitet kitaristi i famshëm francez Raphaël Faÿs si dhe perkusionisti spanjoll José Palomo. Lajmin e ka konfirmuar për Radio KFOR-in, Drejtori Artistik i Vihuela Guitar Festival, z. Ehad Dula, i cili theksoi se nata finale pritet të sjell një ndërthurje të rrallë mes xhazit manush, flamengos andaluziane dhe ritmeve mesdhetare.
Raphaël Faÿs, i cilësuar si një nga virtuozët më të spikatur të kitarës në Evropë dhe trashëgimtar i traditës Django Reinhardt, vjen në Prishtinë me stilin e tij të fuqishëm që bashkon xhazin dhe flamengon. Në skenë ai shoqërohet nga José Palomo, perkusionist energjik dhe ekspresiv që sjell ritmet autentike të Andaluzisë.
Sipas z. Dula, publiku do të përjetojë një atmosferë të zjarrtë, të mbushur me virtuozitet dhe pasion, duke e kthyer natën finale në kulmin artistik të këtij edicioni.
“Vihuela Guitar Festival” mbështeten edhe nga Ministria e Kulturës, Komuna e Prishtinës, “Foleja” dhe Filharmonia e Kosovës.







