Një artiste unike si ANDRRA (Fatime Kosumi), padyshim që zë vend në Radio KFOR, ngase muzika që ajo prodhon është shumë e veçantë, nisur nga tekstet që ajo i shkruan vet, të bazuara në jetën e saj personale apo fenomene që atë e shqetësojnë. Njësoj si në të kaluarën, albumi i saj i ri ”Maleve”, vazhdon të jetë një ballafaqim me sfidat dhe kufizimet e shkaktuara nga të jetuarit në një shoqëri patriarkale. Artistja në këtë album pasqyron gjithashtu pafajësinë dhe emocionet. Udhëtimi për të përfunduar këtë album, ishte i gjatë, i ndërlikuar nga humbje personale dhe situata globale. Megjithatë, kujdesi me të cilin Andrra e krijoi këtë album emocionues dhe poetik, mund të ishte arritur vetëm përmes një periudhe të tillë reflektimi. Për albumin në fjalë, Andrra bashkoj muzicientë të jashtëzakonshëm, si kompozitorin dhe bateristin amerikan Larry Mullins i njohur ndryshe si Toby Dammit, i cili është i njohur për punën e tij me yjet si Iggy Pop ose Nick Cave, inxhinierin e zërit dhe violinistin, fitues i çmimit Grammy, Simon Goff, kantautoren Tara Nome Doyle dhe multi-instrumentalisti PC Nackt.
Bashkë me albumin “Maleve”, së shpejti do të publikohet edhe një performancë live në kishën St. Elisabet, në Berlin, me muzikantë të tjerë të jashtëzakonshëm si Petrit Çeku, Lih Qun Wong, Federico Albanese, Visar Kuçi, Monika Humienna dhe Earl Harvin (baterist i njohur nga grupi Tinderticks).
Me dëgjimin e parë, mund të duket se ky album, është krijuar për hir të atyre burrave dhe grave që janë subjekt i këngëve. Në vend të kësaj, Maleve pajtohet me historitë e tyre, duke i formësuar ato në diçka të bukur, duke çliruar frymëzim për të ardhmen.