“Dita Ndërkombëtare e Familjes” shënohet me datën 15 maj të çdo viti, është një nismë e Kombeve të Bashkuara, që nga viti 1994, për të vënë në pah vlerat e familjeve tradicionale si dhe të atyre jo tradicionale, të cilat janë themel i shoqërisë.
Shënimi i “Ditës Ndërkombëtare të Familjes” ofron një mundësi për të njohur rolin kritik që luajnë familjet, në edukimin dhe mbështetjen e individëve si dhe rëndësinë e tyre në nxitjen e kohezionit social dhe zhvillimit të qëndrueshëm. Po ashtu, thekson rëndësinë e politikave dhe programeve të orientuara nga familja, që adresojnë nevojat dhe mirëqenien e të gjithë anëtarëve të familjes, veçanërisht grupeve të cenueshme si fëmijët, individët e moshuar dhe ata që jetojnë në varfëri ose zona të prekura nga konfliktet.
Për të rritur ndërgjegjësimin e përgjithshëm, për shënimin e “Ditës Ndërkombëtare të Familjeve” organizohen aktivitete të ndryshme, si: seminare, shfaqje kulturore dhe iniciativa të fokusuara tek familja, në nivel lokal, kombëtar dhe ndërkombëtar.