Aleanca Franceze e Prishtinës dhe Ambasada e Francës në Kosovë përmes një njoftimi në rrjetin social facebook kanë njoftuar që këngëtarja Erza Muqolli, më 6 Mars 2020, në orën 14:00, në Bibliotekën Universitare në Prishtinë do të mbajë një koncert.
Në këtë njoftim thuhet: “Erza Muqolli është një këngëtare franceze me origjinë nga Kosova. Nga viti 2015 deri në vitin 2018, ajo ishte pjesë e grupit “Kids United” dhe në vitin 2019 ajo publikoi albumin e saj të parë solo, me këngë të kompozuara nga Vianney. Në Mars të vitit 2020, ajo do të vijë në Kosovë për të inauguruar Javët e Frankofonisë!”
Aleanca Franceze dhe Ambasada e Francës kanë të hapur edhe një lojë shpërblyese për të fituar bileta të koncertit në fjalë. Për të qenë pjesë e kësaj loje, ju duhet duhet ta pëlqeni dhe shpërndani postimin për Erza Muqollin, në faqet e Aleancës Franceze të Prishtinës dhe Ambasadës së Francës në Kosovë, në profilin tuaj, shkruani në koment (në frëngjisht) pse ju pëlqen gjuha frënge dhe etiketoni një mik(e). Fituesit biletat mund ti marrin të premten, më 14 shkurt 2020!