Energjia elektrike është një nga burimet më të rëndësishme të jetës sonë të përditshme, duke na lehtësuar jetën, por me kosto më të lartë dhe me ndikim në ndotjen e ambientit dhe ajrit. Fatmirësisht, ekziston edhe energjia e ripërtëritshme, e cila është me efikase dhe me kosto shumë më të ulët, duke kontribuar edhe në ruajtjen e mjedisit.
Mbi 80% të ndotësve së ajrit dhe mjedisit shkaktohet nga sektori i energjisë, kështu mësuam nga specialisti për cilësi të ajrit në Agjensionin për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, Shkumbin Shala, i cili për Radio KFOR-it tregoi më shumë rreth anëve negative të energjisë elektrike dhe përfitimeve që kemi nëse përdorim burime të energjisë së ripërtërishme: “Duke pasur parasysh monitorimin e cilësisë së ajrit në Kosovë, termocentralet ekzistuese dhe sektori i energjisë renditen si ndotësin më të mëdhenj dhe është shumë e nevojshme që të ketë investime më të mëdha të burimeve të ripërtërishme. Por, gjithmonë me fokus që këto burime të ruhen dhe të përdoren në mënyrë sa më racionale qoftë nga prodhimi i energjisë nga uji apo nga paneleve solare dhe burime të tjera siç është turbina me erë që të mbrojmë ambientin. Në Kosovë kemi disa lokacione ku ka impiante të prodhimit të energjisë nga burime të ripërtëritshme, nga turbinat e erës, në disa lokacione në Kosovë, dhe po ashtu energjia solare është alternativë shumë e përshtatshme. Ekspertët ndërkombëtar sugjerojnë që të investohet më shumë tek sektori i turbinave me erë sepse ruajmë ekosistemin“, kështu tha z. Shala dhe më tutje potencoi se në Kosovë ka pasur disa projekte që kanë ndikuar në uljen e parametrave ndotës, sepse duke prodhuar energji të ripërtëritshme, kontribuohet në ruajtjen e mjedisit dhe në veçanti në përmirësimin e cilësisë së ajrit.