Sa i përket infektimeve me Covid-19 dhe personave të cilët po kërkojnë trajtim në qendrat mjekësore, në Kosovë situata po vlerësohet relativisht e qetë. Varianti i ri i këtij virusi, sipas ekspertëve shëndetësorë nuk është duke u manifestuar me simptoma të rënda, mirëpo ekspertët sërish po apelojnë tek të gjithë që të respektojnë masat mbrojtëse.
Në lidhje me situatën aktuale me COVID-19, për Radio KFOR-in foli Specialisti i Pulmologjisë, Dr. Besim Morina, i cili respektimin e masave e sheh si një formë mbrojtëse e sidomos për personat me sëmundje kronike. Rekomandimet e IKSHPK-së mbeten të njëjtat, mbajtja e distancës, mos frekuentimi i vendeve me numër të lartë të njerëzve dhe mbajtja e maskës kur jemi në afërsi me dikë tjetër. Këto masa duhet të respektohen, jo vetëm për hir të mos infektimit personal, mirëpo edhe për hir të ruajtjes së shëndetit të personave më të ndjeshëm, sidomos për shkak të kontaktit me personat me sëmundje kronike.
Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), gjatë 24 orëve të fundit, 1.030 persona kanë rezultuar pozitiv me virusin COVID-19 dhe nuk është shënuar asnjë rast i vdekjes. Sipas raportit të fundit, deri më sot, numri total i rasteve aktive me Covid-19 është 9.914.