Marrja e vaksinës përforcuese është thelbësore për ruajtjen dhe mbrojtjen e secilit nga virusi CoViD-19 dhe për të ndihmuar në parandalimin e përhapjes së mëtejshme të virusit, tek ata persona që janë të pa vaksinuar, siç janë fëmijët dhe personat me sëmundje të ndryshme.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) rekomandon që të gjithë personat e moshës 12 vjeç e lart, të marrin një vaksinë përforcuese për CoViD-19. Sipas OBSH-së, vaksina e tretë kundër CoViD-19, është një përgjigje imune dhe sugjerojnë se marrja e dozës së tretë përforcuese, mund të zvogëlojë rrezikun e infeksionit dhe sëmundjes së rëndë me CoViD-19, me që imuniteti dobësohet me kalimin e kohës.
Edhe Ministri i Shëndetësisë Dr. Rifat Latifi, ditë më parë u bëri thirrje të gjithëve në Kosovë, që të vaksinohen me dozën e parë dhe të dytë, ndërsa ata që i kanë marrë nga dy doza, ta marrin edhe dozën e tretë apo atë përforcuese.
Të jesh i përditësuar me vaksinim kundër CoViD-19, mbetet mënyra më e mirë për të mbrojtur veten kundër virusit CoViD-19 dhe varianteve të ndryshme të tij.