‘GAIA Kosovo’ dhe ‘7 Arte’ janë në kërkim të 15 të rinjve nga Kosova, për të marrë pjesë në eko-kampin vjeshtor, i cili do të mbahet muajin e ardhshëm, nga data 8 deri më 12 dhjetor, në Roma & Ashkali Documentation Center (Qendra Mësimore RADC), në Mitrovicë.
Për të mësuar më shumë rreth organizimit të kampit në fjalë, Radio KFOR-i kontaktoi drejtorin e Organizatës ‘7 Arte’, z. Lulzim Hoti, i cili tha: “Qëllimi i këtij aktiviteti është që të gjithë të rinjtë, pa marrë parasysh dallimet e tyre etnike apo fetare, të ftohen që të bashkëveprojnë në dobi të komunitetit. Në këtë rast, në dobi të qendrës së komunitetit rom, në Mitrovicë, që të përmirësohen kushtet e asaj qendre, të pastrohet zona dhe të krijohen disa hapësira më të përshtatshme për shfrytëzim nga vetë ai komunitet si dhe të jemi më gjithëpërfshirës në aktivitete. Ne u kemi bërë thirrje të gjithë të rinjve, e nga interesimi që kemi pasur deri më tani, ka vullnetarë ndërkombëtar, ka edhe vullnetarë nga kombësitë e ndryshme që jetojnë në Kosovë.”
Eko-kampi vjeshtor, është pjesë e projektit “Mitrovica Goes Green” dhe zbatohet nga ‘7Arte’ në partneritet me ‘GAIA Kosovo’, ndërsa mbështetet nga UNMIK-u. Vlen të theksohet se afati i fundit për aplikim është data 20 nëntor, 2022.