Trupi i njeriut ka aftësi të përballet me mjedise të pafavorshme klimatike, megjithatë ekspozimi i vazhdueshëm ndaj temperaturave ekstreme mund të ketë pasoja të rrezikshme.
Për të ditur se cilat janë ato ndryshime që i pëson trupi nga temperaturat e larta, Radio KFOR-i kontaktoi Dr. Hevzi Ademaj i cili theksoi: “Ndryshimet të cilat i pëson trupi i njeriut janë: dehidrimi, marramendje , ngërçe muskulare, aritmitë kardiake dhe vështirësimi i rëndë i frymëmarrjes e cila mund të çojë deri në vdekje. Përgjatë temperaturave shumë të larta, më të dëmtuarit janë fëmijët, e sidomos të moshuarit”.
Në fund, Dr. Hevziu dha edhe disa këshilla të rëndësishme: “Me rendësi të veçantë është shmangia e daljeve të panevojshme, nga ora 11:00 deri në ora 16:00, të konsumoni ujë më shumë, të mbroheni nga rrezet e diellit, me anë të kremrave të diellit, të vendosni syze dhe kapelë. Nëse gjatë ditëve me temperatura të larta vazhdoni te mos ndiheni mirë, duhet t’i drejtoheni stafit mjekësor”, tha Dr. Hevzi Ademaj.