‘Komiteti Paraolimpik’ i Kosovës në bashkëpunim me shoqatën ‘Handikos’ në Kosovë edhe këtë vit kanë organizuar garat sportive për personat me aftësi të kufizuar sot (21.06.2019) në ‘Akademinë e Kosovës për Siguri Publike’ në Vushtrri. Në këtë aktivitet sportiv po marrin pjesë rreth 450 persona me aftësi të kufizuar po ashtu edhe persona me dëmtime intelektuale ku do të garojnë në vrapimin me karrocë.
Presidentja e Komitet Paraolimpik, Njomza Emini, ekskluzivisht për Radio KFOR-in, tregoi për organizimin e garave këtë vit duke treguar për pjesëmarrësit dhe synimin e tyre:
“Do të kemi pjesëmarrës nga të gjitha komunitetet dhe po ashtu kemi arritur të kemi edhe një bashkëpunim dhe mbështetje nga komuna e Graçanicës dhe synimi ynë është të kemi pjesëmarrës nga të gjitha komunitetet. Do te kemi aktivitete të ndryshme dhe krahasuar me vitin e kaluar këtë vit kemi një numër më të madh të komunitetit serb dhe komuniteteve tjera dhe kemi një interesim të jashtzakonshëm.”
Njomza Emini theksoi se roli i KFOR-it në këtë aktivitet është i jashtëzakonshëm duke shprehur mirënjohjen e saj për mbështetjen dhe shpirtin human ku prania e tyre ka treguar sa janë në gjendje ta ruajnë stabilitetin por edhe të përkrahin këtë kategori të shoqërisë.
Ndërkaq, menaxherja e shtëpisë së njerëzve me aftësi të kufizuar në Graçanicë, Sladjana Jevtic për Radio KFOR-in kishte një mesazh për këtë kategori të njerëzve:
“Është e rëndësishme të kujdesesh për njerëz që ke rreth vetes, më aftësi të kufizuara të cilët kanë nevojë për vëmendje, për dashuri, mirëkuptim si çdo person tjetër”, tha Sladjana.
Në Kosovë ka sportistë me aftësi të kufizuar shumë të talentuar por të gjithë ne duhet t’i përkrahim që të përfshihen në aktivitete të tilla.