Pylli i Arinjve Prishtina është duke organizuar ecjen e radhës, e dedikuar për arinjtë e veçanërisht për arushën Kasandra, e cila është banorja e parë e strehimores së vetme në Kosovë.
“Ecja për Kasandrën” mbahet më 23 mars, e shtunë, e dedikuar për arushen Kasandra e cila ka qenë pikënisja për krijimin e strehimores që gjendet në fshatin Mramor, afër Liqenit të Badovcit.
Kasandra ishte gjetur në mars të vitit 2013 e mbyllur në një kafaz të vogël në një restorant në fshatin Duhël të Therandës, në një gjendje të mjerueshme. Se si është gjendja e këtyre kafshëve në këtë strehimore, Radio KFOR-i kontaktoi zyrtarin për media nga strehimorja ‘Pylli i Arinjve Prishtina’, Taulant Hoxha: “Është dita e Kasandrës pasi që ajo ka qenë arusha e parë e strehuar. Sot kemi gjithsej 19 arinj. Strehimorja ka 16 hektarë hapësirë. Është dimri i parë që të gjithë arinjtë kanë fjetur këtë dimër. Kjo do të thotë se arinjtë po ndjehen mirë në këtë strehimore”.
Ecja e radhës dedikuar arinjve, fillon në ora 09:00 duke filluar nga laura e Parkut të Gërmisë, nëpër shtegun malor e që përfundon tek Pylli i Arinjve Prishtina. Vizitorët do të kenë mundësinë që të vizitojnë Kasandrën dhe të shohin ekspozitën me foto dhe video të Kasandrës, që nga koha e pranimit e deri me ndryshimet e sotme.
Aktiviteti përmbyllet me kafe dhe disa ushqime të përgatitura nga stafi i Pyllit, ndërsa kthimi për në Prishtinë organizohet me autobus, mirëpo secili pjesmarrës do të paguaj biletën e tij.