Mjaftuan pak sekonda që një juri profesionistësh të kthenin karriget për vokalin e veçantë të tij, në spektaklin e zërit më të mirë shqiptar “The voice of Albania 6” dhe të fascinohen me mënyrën e tij të të intereptuarit të këngës me të cilën ai u paraqit në vitin 2017.
Mposhti shumë zëra të tjerë të bukur dhe shkoi deri në netët live, duke u vlerësuar tanimë jo vetëm nga juria respektive, por edhe nga publiku, të cilëve që nga paraqitja e tij e parë ia rrëmbeu zemrat.
Është ky këngëtari vushtrrias Ard Gashi, i cili megjithë angazhimet e tij në fushën e gazetarisë dhe moderimit, nuk është ndalur së kënduari në mbrëmje të ndryshme muzikore, ku gjithmonë është duartrokitur nga publiku i pranishëm.
Së fundmi, Ardi dashamirët e muzikës së tij i ka gëzuar me projektin e tij të parë muzikor, të cilit ia ka vënë titullin “ E tash”, për vijën melodike të të cilës është kujdesur vet ai në bashkëpunim me Nesko-n, muzikën e saj e ka realizuar Valon Demaku me producent Lorik Mjekun, ndërkaq videoklipi i është besuar N’PIK creative.
Vlen nënvizuar faktin se kjo këngë po pëlqehet shumë, jo vetëm nga muzikë dashësit, por edhe nga kolegët e Ardit, këngëtarë, të cilët e kanë shpërndarë në faqet e tyre personale në rrjete sociale.