Data e sotme 4 marsi, i është ndarë shënimit të “Ditës Botërore të Obezitetit”, që ka për qëllim ndërgjegjësimin për një jetë më të shëndetshme, duke sjellë në vëmendje ndikimin global të obezitetit dhe rëndësinë e parandalimit të tij.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), aktualisht, mbi 1 miliard njerëz në mbarë botën janë të prekur nga obeziteti, duke përfshirë më shumë se 650 milionë të rritur dhe 340 milionë fëmijë e adoleshentë, shifra këto që janë trefishuar nga viti 1975, që tregojnë se obeziteti sot, është problem global në rritje.
Tema me të cilën shënohet sivjet “Dita Botërore e Obezitetit”, është “E ardhmja jonë, pa obezitet”, e cila thekson rëndësinë e parandalimit të obezitetit tek fëmijët dhe të rinjtë.
Obeziteti lidhet drejtpërdrejt me një sërë sëmundjesh kronike, si diabeti i tipit 2, sëmundjet kardiovaskulare dhe disa lloje të kancerit. Përveç ndikimeve në shëndetin fizik, obeziteti ka edhe pasoja psikologjike dhe sociale, meqë ndikon në cilësinë e jetës dhe mirëqenien emocionale të individëve. Ekspertët theksojnë se edukimi mbi ushqyerjen e shëndetshme, aktivitetin fizik dhe mbështetja e politikave shëndetësore, janë çelësi për të luftuar këtë problematikë globale.







