Kombet e Bashkuara kanë caktuar datën e sotme 7 dhjetor, si ‘Ditë Ndërkombëtare të Aviacionit Civil’, e cila ka për qëllim që të rris ndërgjegjësimin për rëndësinë e aviacionit civil dhe për të mësuar për zhvillimin e standardeve ndërkombëtare, për sigurinë e aviacionit.
Për të theksuar rëndësinë e kësaj dite, Radio KFOR-i mori një prononcim nga Drejtori i Agjencisë së Shërbimit të Navigacionit Ajror (ASHNA), z. Samir Bllacaku: “Dëshiroj të theksoj angazhimin tonë të vazhdueshëm ndaj sigurisë së fluturimeve dhe shërbimit të cilësisë së lartë, për të gjithë pasagjerët tanë. Ne besojmë se siguria është një prioritet themelor dhe kjo reflektohet në çdo aspekt të operacioneve tona. Si një organizatë e specializuar në aviacion, ne kemi një detyrim të veçantë ndaj sigurisë dhe mirëqenies së udhëtarëve tanë. Një falënderim i veçantë shkon për ekuipazhin tonë të përkushtuar dhe të aftë si dhe për pasagjerët tanë, të cilët na japin mundësinë të shërbejmë dhe të rritemi çdo ditë. Ne jemi të përkushtuar për të ofruar fluturime të sigurta dhe efikase, duke siguruar një bashkëpunim të ngushtë me autoritetet e aviacionit dhe duke ndjekur praktikat më të mira të industrisë. Unë ua uroj ‘Ditën Ndërkombëtare të Aviacionit Civil’ të gjithë profesionistëve të aviacionit civil, duke shpresuar se viti 2024, do të jetë një vit edhe më i mbarë për të gjithë!”
Fluturimi me avion është një nga mënyrat më të shpejta dhe më të sigurta për të udhëtuar në vende të ndryshme të botës. Përafërsisht, çdo ditë në botë fluturojnë mbi 8 milion pasagjerë në destinacione të ndryshme.