Sot (07.12.22), po shënohet ‘Dita Ndërkombëtare e Aviacionit Civil’, e cila ka për qëllim të ndihmojë në gjenerimin dhe përforcimin e ndërgjegjësimit mbarë botëror, për rëndësinë e aviacionit civil ndërkombëtar, për zhvillimin social dhe ekonomik të vendeve dhe për rolin unik të ICAO-s për të bashkëpunuar dhe realizuar një tranzit të shpejtë global, në shërbim të mbarë njerëzimit.
Për të shënuar rëndësinë e kësaj dite, Radio KFOR-i bisedoi me Drejtorin e Agjencisë së Shërbimit të Navigacionit Ajror (ASHNA), z. Samir Bllacaku, i cili tha se kjo ditë shënohet edhe në vendin tonë dhe ndër të tjera tha: “Kjo ditë është mjaft e rëndësishme për ne, mirëpo edhe për të gjithë njerëzit, meqë aviacioni në gjithë botën ka shënuar një hov të madh të zhvillimit dhe konsiderohet njëra ndër transportet më të shpejta dhe më të sigurta. Sigurisht që dita e aviacionit, po shënohet edhe në vendin tonë, me takime dhe aktivitete të ndryshme, përmes së cilave mëtojmë që të ndikojmë pozitivisht në përmirësimin e kushteve të të gjithë udhëtarëve që udhëtojnë nga ky aeroport. Sikurse e dini, çdo katër vite përcaktohet një temë nga këshilli i ICAO-s, që shënon ‘Ditën Ndërkombëtare të Aviacionit Civil’, e tema e sivjetme është “Përparimi i Inovacionit për Zhvillimin Global të Aviacionit”. Prandaj, neve na mbetet që të punojmë shumë dhe secili udhëtarë që udhëton nga Kosova, të ndihet i sigurt apo fluturime të sigurta, për të gjithë pasagjerët.”
Sipas OKB-së, sektori global i transportit ajror mbështet 65.5 milionë vende pune dhe 2.7 trilion dollarë në aktivitetin ekonomik global, me mbi 10 milionë gra dhe burra që punojnë brenda industrisë për të siguruar që 120.000 fluturime dhe 12 milionë pasagjerë në ditë, të transportohen të sigurt në destinacione të ndryshme. Andaj, kjo ditë, nderon punonjësit e aviacionit civil, kontrollorët e trafikut ajror dhe të gjithë ata që punojnë për të mbajtur fluturimet e sigurta për të gjithë pasagjerët.