Nga fillimi i procesit të vaksinimit e deri më sot, në Kosovë janë dhënë mbi 1.8 milion doza të vaksinës kundër Covid-19. Rreth rëndësisë së vaksinimit dhe efikasitetit të tij, Radio KFOR-i zhvilloi një intervistë me infektologun, z. Ilir Tolaj:
“Numri i të vaksinuarve me dy doza është i kënaqshëm dhe ky proces në Kosovë ka shkuar mirë, shumë më mirë se në të gjitha vendet e rajonit. Sa i përket vaksinimit me dozën e tretë është një ngecje dhe një gjë e tillë duhet të përmirësohet. Studimet tregojnë se derisa dy dozat e vaksinës mbrojnë ndaj variantit Omicron në nivelin mbi 65%, doza e tretë e shton këtë mbrojtje në 85%. Dobitë që vijnë nga vaksinimi janë të shumta dhe këto vaksina kanë vërtetuar se mbrojnë nga format e rënda të virusit dhe vdekja dhe për këtë arsye, njerëzit duhet të vaksinohen. Po ashtu, të vaksinuarit më pak ri-infektohen por edhe nëse ri-infektohen e kalojnë atë në mënyrë shumë më të lehtë.”
Dr. Tolaj, gjithashtu potencoi se të gjithë personat të cilët janë të vaksinuar me dy dozat e para, duhet që të marrin edhe dozën e tretë përforcuese, sepse studimet që janë publikuar së fundmi tregojnë që doza e tretë është efikase edhe në mbrojtjen kundër variantit Omicron dhe në veçanti kundër formave të rënda të sëmundjes, pavarësisht nëse e kanë kaluar virusin ose jo.