Edicioni i 24-të i festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër, Dokufest po vazhdon të sjell gjallëri në qytetin e Prizrenit. Dokufest që ka filluar me 1 gusht dhe do të përmbyllet me 9 gusht, këtë vit po sjell një program të pasur me mbi 200 filma nga e gjithë bota, të shoqëruar me aktivitete kulturore, ekspozita, panele diskutimi dhe performanca muzikore.
Sot, festivali është në ditën e tij të pestë, duke ofruar program të pasur kulturor edhe nga vendet konkurruese ndërkombëtare dhe ballkanike. Përveç projeksioneve filmike, Dokufest po vazhdon me masterklasa, panele me regjisorë dhe producentë si dhe diskutime për tema sociale, ambientale dhe për të drejtat e njeriut.
Gjatë mbrëmjeve, programi DokuNights po mbledh publikun në ambiente të hapura me performanca të artistëve vendorë dhe ndërkombëtarë, duke e shndërruar Prizrenin në një pikë takimi të kulturës dhe kinemasë bashkëkohore.
Dokufest mbetet një prej ngjarjeve më të rëndësishme kulturore në Kosovë dhe rajon, që promovon artin, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe përfshirjen e të rinjve në industrinë kreative.







