Në kuadër të realizimit të detyrave dhe autorizimeve ligjore, Policia e Kosovës ka asistuar dhe mbështetur Doganën e Kosovës në realizimin e kontrollit mbi legjitimitetin e pajisjeve që shërbejnë për prodhimin e BITCOIN.
Rreth kësaj situate, Radio KFOR-i ka zhvilluar një intervistë me zëdhënësin e Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, i cili tregoi rreth aksioneve që ka ndërmarrë ky institucion lidhur me paisjet për prodhimin e Bitcoin:
“Një pjesë e madhe e paisjeve për prodhimin e Bitcoin janë futur në Kosovë në mënyrë ilegale, prandaj Dogana e Kosovës ka ndërmarrë disa aksione në Mitrovicën e Jugut ku kemi pasur 67 kartela grafike, pastaj në Prishtinë 39 kartela grafike në Leposaviq para disa ditëve kemi zënë 272 që kanë qenë duke prodhuar. Në asnjërën prej rastëve të aksioneve nuk kanë pasur procedura doganore të përfunduara. Dogana e Kosovës do të vazhdoj me aksione të tjera por do të shohim se si do të rrjedh situata në ditët në vazhdim”.
Të gjitha veprimet policore janë realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente në realizim të kontrollit ndaj veprimtarive ilegale, përderisa mjetet e dyshuara janë konfiskuar në cilësi të provave materiale.
Po ashtu njësitet policore në kuadër të Stacionit Policor në Vushtrri, në orët e mbrëmjes së datës 8 janar 2021, kanë gjetur dhe sekuestruar 6 aparate me 42 kartela për prodhimin e kriptovalutave.
Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me autoritetet kompetente do të vazhdojë realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja në nivel vendi, me qëllim të parandalimit të veprimtarive të ndryshme ilegale.