Në botën dinamike të muzikës, përkushtimi dhe dashuria për muzikën, duhet të jenë të mëdha, për të qenë krijuesi që e duan audienca. Me një stil unik, energji të jashtëzakonshme dhe talent të dalluar, DJ Gimbo është emri që ka shndërruar çdo set të tij, në një eksperiencë të paharrueshme për audiencën, për çka edhe është kthyer në emrin që me plot meritë ka fituar vendin në mesin e DJ-ve më të kërkuar. Gëzim Blakaj, është emri i atij që në skenë e njohim si DJ Gimbo dhe i cili në një intervistë për Radio KFOR-in ka treguar më shumë për karrierën e tij, duke na njoftuar që ka mbushur plot 7 vjet në skenë. Ndërkohë prej 6 vitesh Gimbo është DJ zyrtar i njërit prej këngëtarëve më të komentuar të momentit, Gjestit. Në një prononcim për Radio KFOR-in, DJ Gimbo foli për pasionin e tij si DJ: “Për muzikën si art, gjithmonë kam pas dashni të madhe dhe të qenit DJ, është fusha ku unë kam mundësinë me e shpreh talentin tim. Sa i përket eksperiencave dhe performancave të mija, secila është më e bukur se tjetra dhe më e veçantë. Janë momente të bukura të cilat më frymëzojë për krijime, ma rrisin dashninë për muzikën dhe dëshirën për të performuar para publikut. E me Gjestin secila performancë e jona është kujtim më vete.”
Përmes frekuencave të Radio KFOR-it, DJ Gimbo gjithashtu ndau edhe një mesazh motivimi për të gjithë ata që e duan muzikën dhe kanë dëshirë e talent që në të ardhmen të bëhen DJ: “Just work and believe in yourself” (Vetëm punoni dhe besoni në veten tuaj), tha ai.
Duke qenë edhe DJ zyrtar i Gjestit, DJ Gimbo tha se puna me të është më e lehtë, pasi përtej punës profesionale me Gjestin janë edhe miq të mirë. Gjesti tanimë u bë edhe më i famshëm si pjesë e dy shtëpive Reality Show, VIP Big Brother Kosova dhe VIP Big Brother Albania. Ndërkohë, DJ Gimbo, na tregoi që bashkë me Gjestin e presin shumë angazhime dhe ftesa gjithandej vendit dhe jashtë tij.







