“Diversiteti është bukuri, e këtë bukuri e ka Kosova”, kështu tha për Radio KFOR-in, Zyrtarja për Komunikim dhe Marrëdhënie me Publikun në Qendrën “Artpolis”, Znj. Venera Ismaili, teksa shton se Kosova është model i paqes, në të cilin kontribuojnë të gjithë qytetarët pa dallim: “Kosova ka diversitet, njerëz që i përkasin komuniteteve të ndryshme, feve të ndryshme, etj. dhe kjo është shumë e bukur dhe dëshmon që në Kosovë, ka një bashkëjetesë cilësore. E gjitha që duhet të bëjmë, është që të gjejmë mënyra se si t’i integrojmë të gjitha komunitet në shoqëri, e Artpolis gjithmonë ka punuar në këtë drejtim ku në çdo aktivitet i kemi inkuadruar të rinjtë e të rejat e të gjitha komuniteteve. Artpolis është anëtare e Koalicionit për Pajtim, ku në këtë koalicion janë organizata të ndryshme, ku veç Fondit Humanitar për të Drejtat e Njeriut është edhe NGO Aktiv nga Mitrovica e Veriut, ku kemi një bashkëpunim të jashtëzakonshëm rreth aktiviteteve të ndryshme.”
Znj. Ismaili, tha gjithashtu se Qendra Artpolis, është model i punës në ekip shumetnik dhe shembull i një të ardhme shumetnike dhe se datën e sotme, 21 shtatorin ‘Ditën Ndërkombëtare të Paqes’, do ta kremtojnë me një shfaqje në teatër ‘Othello nga Kosova’, në të cilën luajnë aktorë të rinj nga komunitete të ndryshme në Kosovë dhe gjithashtu shtoi: “Më datën 21, në ‘Ditën Ndërkombëtare të Paqes’, Artpolis do të organizojë një ngjarje kulturore, do të japim një shfaqje teatrale e organizuar dhe e luajtur nga të rinjtë e komuniteteve të ndryshme në Kosovë, të rinj këta që më parë janë trajnuar për aktrim në kuadër të trajnimit ‘Edukimi i bazuar në teatër’. Shfaqja ‘Othello nga Kosova’ është përkrahur nga Bashkimi Evropian, në kuadër të Koalicionit të Kosovës për Pajtim. Shfaqja është jetësuar edhe në Teatrin Oda, në muajin prill dhe për shkak të situatës pandemike, të njëjtën për nder të ‘Ditës Ndërkombëtare të Paqes’, do ta shfaqim online. Si çdo festë tjetër që është e rëndësishme të shënohet, ku të gjithë pastaj urojmë ose kremtojmë, edhe ‘Dita Ndërkombëtare e Paqes’, është e rëndësishme të shënohet, sepse kështu vijmë deri tek reflektimi i qytetarëve se kjo ditë ka rëndësi shumë të veçantë, për të parë të gjithë se çfarë mund të bëjë secili prej nesh, pavarësisht përkatësisë etnike, për ndërtimin e paqes në Kosovë dhe në botë. Paqja nuk arrihet ndryshe veçse me aktivitete të shumta e të përbashkëta, në mes të të gjitha komuniteteve, sepse në këtë mënyrë të gjithë bëhemi bashkë, e promovojmë dhe e kultivojmë paqen, që është gjëja më themelore e njeriut”, tha ndër të tjera Znj. Venera Ismaili, në lidhje me ditën e sotme.
‘Dita Ndërkombëtare e Paqes’, është themeluar nga Kombet e Bashkuara dhe shënohet nga qindra miliona njerëz dhe mijëra organizata, çdo vit me datën 21 shtator.