Data e sotme, 10 Dhjetor, i dedikohet ‘Ditës Botërore të të Drejtave të Njeriut’, në përkujtim të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut, e cila u miratua në vitin 1948, nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara. Për të shënuar rëndësinë e kësaj dite, Radio KFOR-i ka zhvilluar një intervistë me zyrtarë nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut – KMDLNJ. Për më shumë detaje rreth ditës së sotme dhe zbatimit të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut në Kosovë, më poshtë lajmit mund të gjeni intervistën e plotë:
Radio KFOR-i: Cila është rëndësia e kësaj dite?
Shërbimi për Informim i KMDLNj-së: Më 10 dhjetor të vitit 1948, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara nxori dhe shpalli Deklaratën Universale mbi të Drejtat e Njeriut, e kjo datë, në mbarë botën shënohet si ‘Dita Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut’. Të gjitha shtetet dhe vendet që e kanë ratifikuar këtë Deklaratë, janë të obliguara ta zbatojnë këtë dhe për moszbatim sanksionohen. Kjo Deklaratë, në të njëjtën kohë u bë pjesë integrale e kushtetutave të vendeve ratifikuese sikur që është pjesë edhe e Kushtetutës së Kosovës. Shpirti, motivi, mendja dhe forca udhëheqëse e kësaj Deklarate, është parimi i universalitetit i të drejtave të njeriut.
Parimet themelore të kësaj Deklarate, janë se të gjithë njerëzit lindin të lirë dhe të barabartë në dinjitet dhe të drejta dhe se gëzojnë të drejtat dhe liritë themelore të parashtruara në këtë Deklaratë, pa kurrfarë kufizimesh për sa i përket racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, besimit fetar, mendimit politik ose tjetër, origjinës kombëtare a shoqërore, pasurisë, lindjes ose tjetër. Pastaj, gjithkush ka të drejtë të jetojë i lirë dhe asnjeri nuk duhet të mbahet si skllav, sikur që askush nuk duhet t’i nënshtrohet mundimit, trajtimit ose dënimit të egër, jonjerëzor dhe poshtërues. Ndër të tjera, në këtë Deklaratë thuhet se asnjeri nuk duhet t’i nënshtrohet arbitrarisht arrestimit, ndalimit ose internimit, se të gjithë janë të barabartë para ligjit, të gjithë kanë të drejtën të mbrohen, pa asnjë diskriminim nga ligji sikur që gjithkush gëzon të drejtën për një proces gjyqësor objektiv para një gjykate të pavarur e të paanshme. Data 10 dhjetor, është dita kur bëhen thirrje për zgjim nga gjumi të institucioneve shtetërore, për respektim më të madh të të drejtave njerëzore, sipas dokumenteve të cilat janë të ratifikuara apo edhe zotimeve që marrin për zbatim të tyre. Kjo ditë është një mundësi më shumë për të gjithë për të kthyer kokën drejt mundësive dhe kushteve të jetesës së çdo njeriu.
Radio KFOR-i: Si e vlerësoni respektimin e të drejtave të njeriut në Kosovë?
Shërbimi për Informim i KMDLNj-së: Kosova nëse i referohemi vitit të fundit, sikur edhe gati të gjitha vendet e botës, ka pasur një situatë më të veçantë të shkaktuar nga pandemia COVID-19.
Fatkeqësisht, për Kosovën ka qenë një vit shumë i vështirë, ka pasur humbje të mëdha të jetëve të qytetarëve të cilët kanë qenë të infektuar me virusin COVID-19; humbje të mëdha të vendeve të punës; ngritje enorme të çmimeve të produkteve të shportës familjare; ngritje të çmimit të energjisë elektrike dhe thellim të varfërisë. Kosova ka një infrastrukturë të kompletuar ligjore për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe në këtë aspekt, Kosova nuk dallon aspak nga vendet e rajonit kurse, në disa fusha, si në mbrojtjen e minoriteteve, qëndron më mirë se vendet e rajonit sikurse për trajtimin e refugjatëve dhe azilkërkuesve si dhe personave të privuar nga liria.
Kosova ka bërë një përparim në trajtimin e të drejtave të grupeve të cenueshme.
Radio KFOR-i: Sa i përket kësaj dite, cili është mesazhi juaj për popullin e Kosovës?
Shërbimi për Informim i KMDLNj-së: KMDLNj është organizatë e cila gjithë aktivitetin e saj, e ka të bazuar në mbrojtje, promovim dhe avancim të të drejtave të njeriut në përgjithësi. KMDLNj u bënë thirrje të gjitha institucioneve përgjegjëse, për rritje të respektimit të të drejtave të njeriut. Gjithashtu, bëjmë thirrje që edhe qytetarët të vetëdijesohen më shumë për të drejtat që u takojnë, në mënyrë që të dinë dhe t’i kërkojnë ato. KMDLNj bënë ftesë që të forcohet shteti i të drejtës, sepse të drejtat e njeriut mbrohen me ligj, nëse ligji zbatohet në mënyrë efikase.