Me qëllim të parandalimit dhe luftimit të pandemisë COVID 19, Policia e Kosovës sipas planeve të parapara, të koordinuara me të gjitha institucionet kompetente në fushën e shëndetësisë dhe institucionet e tjera relevante, po vazhdon të zbatoj ligjin anti-kovid.
Duke parë rëndësinë e shëndetit publik, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha përmes Radio KFOR-it e bëri këtë apel: “Apelojmë tek të gjithë qytetaret dhe institucionet pa dallim, që masat dhe kufizimet e përcaktuara nga autoritetet kompetente të respektohen me përpikëri, me qëllim të parandalimit të përhapjes së virusit dhe ruajtjen e shëndetit publik.”
Policia e Kosovës, mbetet e përkushtuar në kryerjen e detyrave të tyre me profesionalizëm, duke zbatuar ligjin dhe duke gjobitur të gjithë personat fizik apo bizneset që nuk respektojnë këto masa. Sipas komunikatës për media nga Policia e Kosovës, gjatë 24 orëve, janë shqiptuar gjithsej 347 tiketa, për personat që nuk kanë respektuar ligjin anti-covid.