Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka caktuar 29 majin, si “Ditë Ndërkombëtare të Paqeruajtësve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara”. Në këtë ditë kremtohet puna dhe përkushtimi i madh i paqeruajtësve për të ndaluar konfliktet dhe për të promovuar stabilitetin në botë, për një botë paqësore.
“Dita Ndërkombëtare e Paqeruajtësve të OKB-së”, ka për qëllim të nderojë paqeruajtësit që kanë humbur jetën për kauzën e paqes si dhe nderimin e gjithë burrave dhe grave, që vazhdojnë shërbimin në misionet e organizatës, me profesionalizëm të lartë, përkushtim dhe kurajë. Që nga themelimi i misionit paqeruajtës në vitin 1948, më shumë se 1 milion burra dhe gra kanë shërbyer nën flamurin e Kombeve të Bashkuara, ndërsa më shumë se 100.000 personel ushtarak, policor dhe civil nga 125 vende, aktualisht shërbejnë në 14 operacione paqeruajtëse.
Që nga themelimi i misionit paqeruajtës në vitin 1948, më shumë se 3 mijë e 200 paqeruajtës të OKB-së, kanë humbur jetën në misione të paqes, si pasojë e aksidenteve, dhunës apo sëmundjeve.
“Dita Ndërkombëtare e Paqeruajtësve të OKB-së”, është ditë që kremton përkushtimin për një botë ku mbizotëron paqja dhe ditë që shërben për të rikujtuar nevojën për dialog, tolerancë dhe respekt ndërmjet shteteve dhe komuniteteve, në përpjekje për të krijuar një botë të drejtë dhe të qëndrueshme për të gjithë.