Për herë të parë ‘Dita e Malit Everest’, u shënua më 29 maj, të vitit 1953, dita kur Sir Edmund Hillary, një alpinist nga Zelanda e Re dhe Tenzing Norgay nga Nepali, arritën për herë të parë në majën e Malit Everest, si pjesë e ekspeditës britanike të drejtuar nga John Hunt. Kjo ngjarje theu barrierën e panjohur të arritjes së një maje kaq të lartë dhe ndryshoi përherë mënyrën se si njerëzit i shikonin dhe përballonin sfidat alpinistike.
Pas ngjitjes në majën më të lartë të botës, data e sotme 29 maj, u bë simbolikisht e lidhur me ‘Ditën e malit Everest’ dhe shënohet çdo vit, për të nderuar arritjet dhe udhëheqësit në fushën e alpinizmit.
Ngjitja në majën e Everestit, është një arritje e jashtëzakonshme për njerëzimin meqë është maja më e lartë në botë, me një lartësi prej 8.848 metra mbi nivelin e detit. Shkalla e sfidave fizike, emocionale dhe logjistike që lidhen me arritjen në këtë majë, e bën atë një prej synimeve më të vështira të ekspeditave alpinistike.