Çdo vit më 6 shkurt, të gjithë ata që besojnë se gjithçka mund të bëhet më mirë, se çdo situatë ka mundësi për t’u përmirësuar dhe që i japin rëndësi shpresës dhe pozitivitetit, e festojnë sot ‘Ditën e Optimistëve’. Optimizmi, si një qëndrim ndaj jetës, është një mjet i fuqishëm për të përballuar sfidat e përditshme. Ndërsa bota shpesh mund të duket e mbushur me vështirësi dhe pasiguri, optimistët janë ata që mbajnë gjithmonë shpresën e ndezur dhe që besojnë në mundësinë e ndryshimit për më mirë.
Shumë studime kanë treguar se njerëzit që praktikojnë optimizmin, kanë më pak mundësi të përballen me stresin dhe ankthin, kanë shëndet më të mirë dhe janë më të lumtur. Optimizmi është më shumë se një mendim pozitiv, është një filozofi jetese që mund të transformojë individë dhe shoqëri. Kjo ditë, na kujton se edhe në momentet më të errëta, ka gjithmonë një mundësi për të parë dritën në fund të tunelit, për një të ardhme më të mirë.
Optimizmin mund ta përkufizojmë edhe me këtë fjali: “Optimizmi është një forcë që e mbush njeriun me fuqi për të tejkaluar vështirësitë dhe për të ndikuar pozitivisht në jetën e tij dhe të të tjerëve”.