Arkivat audiovizuale na ndihmojnë për të kuptuar jetën dhe kulturën në të gjithë botën dhe janë një mjet i çmueshëm i trashëgimisë sonë kolektive. Prandaj në vitin 2005, UNESCO miratoi datën e sotme, 27 Tetor, si ‘Ditë Botërore të Trashëgimisë Audiovizuale’.
Në vendin tonë, dokumente dhe materiale të tilla mund ti gjejmë edhe në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës dhe për të shënuar këtë ditë, Radio KFOR-i morri një prononconim nga Udhëheqësja e Departamentit të Koleksioneve të Veçanta në Bibliotekën Kombëtare – znj. Bedrie Mekolli: “Materialet audiovizuale në Bibliotekën Kombëtare, mblidhen, ruhen, përpunohen dhe gjithashtu jepen në shfrytëzim, ato janë të ndara si koleksioni i materialeve audiovizuale. Në këtë koleksion përfshihen pllaka gramafoni, të cilat i kemi në numër të madh si, CD, DVD, kaseta, videokaseta, mikrofisha, mikrofilma, shirita dhe gjithashtu magnetofona të filmave. Kemi rreth 20 mijë njësi fizike dhe shumica prej tyre, rreth 11 mijë, janë materiale muzikore. Prodhuesit dhe botuesit e materialeve audiovizuale njëjtë sikur botuesit e librave, kanë për obligim ti sjellin në Bibliotekën Kombëtare tre deri në pesë kopje të krijimeve të tyre, të cilat ne i quajmë, kopje të detyrueshme.”
Znj. Mekolli, inkurajon të gjithë botuesit që punimet e materialeve audiovizuale ti dërgojnë në Bibliotekën Kombëtare, duke shtuar se ky është një obligim i tyre dhe gjithashtu ato materiale do të ruhen në kushtet më të mira.