Me aktivitete të ndryshme në mbarë botën, sot (23.03.22) po shënohet ‘Dita Botërore e Meteorologjisë’. Në këtë ditë vlerësojmë kontributin thelbësor të Shërbimeve Kombëtare Meteorologjike dhe Hidrologjike, për sigurinë dhe mirëqenien e shoqërisë.
Secilin vit caktohet një temë me të cilën shënohet kjo ditë dhe këtë vit është përzgjedhur tema ‘Paralajmërim i Hershëm dhe Veprim i Hershëm’ (Early Warning and Early Action).
Në lidhje me temën në fjalë, për rëndësinë e veprimit të hershëm, ka folur për media edhe Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Meteorologjisë, z. Petteri Taalas, i cili tha: “Të gjithë duhet të bëjmë më shumë për shërbimet, paralajmërimin dhe veprimin e hershëm, kemi filluar të shohim një numër në rritje të fatkeqësive dhe duke pasur shërbime të duhura të paralajmërimit të hershëm, ne mund të mbrojmë jetët, ne mund të mbrojmë pronat dhe gjithashtu infrastrukturën dhe biosferën, prandaj “Paralajmërimi i Hershëm dhe Veprimi i Hershëm” është vërtetë jetik.”