Sot, rreth 16% e popullsisë së botës, dy të tretat e të cilave janë femra, nuk janë në gjendje të lexojnë ose të shkruajnë në gjuhën e tyre amtare.
Dita botërore e arsimimit shënohet çdo vit me 8 shtator si ditë zyrtate nga ‘Kombet e Bashkuara’, si mundësi për të rritur vetëdijësimin e rëndësisë për arsimim dhe uljen e analfabetizmit në botë.
Analfabetizmi në pothuajse të gjitha pjesët e botës është i lidhur me çështjet socio-ekonomike, si varfëria dhe faktorët demografik.
Profesoresha dhe Dekania në Departamentin e Gjuhës Angleze në kolegjin AAB, Venera Llunji, për këtë ditë shprehu mendimin e saj për gjendjen e arsimit në Kosovë:
“Në Kosovë duhet ende punë sa i përket arsimit sepse me të vërtetë ka zbrastira të mëdha. Duke filluar nga infrastruktura që mungon në shumë shkolla, si në qytett dhe fshatra, por theksin do ta vija tek përgatitja e mësimdhënësve. Sidomos në arsimin e lartë duhet ndërhyrë dhe të rishikohet spektri i përfshirë në të gjitha nivelet. Ka mungesë tekstesh dhe përgatitjesh të mësimdhënësve, politizime dhe faktorë të tjerë që ndikojnë në uljen e nivelit të njohurive të nxënësve”, u shpreh Llunji.
Sipas të dhënave zyrtare të ‘Agjencisë së Statistikave të Kosovës’, në bazë të regjistrimit të popullsisë, 82 mijë persona në Kosovë nuk dijnë të shkruajnë, ndërsa 55 mijë qytetarë janë analfabet të plotë, që nuk dijnë të lexojnë dhe të shkruajnë.
Profesoresha Llunji për fund tha se duhet t’i japim rëndësi të madhe arsimit dhe se të rinjtë duhet të arsimohen sepse vetëm kështu mund të shkojmë përpara.