Gjaku është përbërës i rëndësishëm i trupit tonë dhe me gjithë përparimin e mjekësisë, nuk mund të prodhohet nga industritë farmaceutike, ndaj i vetmi burim i tij është dhurimi i gjakut nga njerëzit vullnetmirë. Një shembull i mirë për gjithë të tjerët është çifti, Florentina Salihu – Dushi dhe Gëzim Dushi, të cilët që nga viti 2006, vazhdimisht, dhurojnë gjak. Pikërisht për këtë fakt, Radio KFOR-i kontaktoi zonjën Salihu-Dushi, e cila u shpreh: “Kënaqësia që ofron ky akt human, nuk përshkruhet me fjalë e mos të flas për pjesën e mjekësisë, që është alfa dhe omega e çdo intervenimi tutje. Dhurimin e gjakut unë dhe bashkëshorti im, e kemi shndërruar në mision. Kalendari ynë në shtëpi, ka datat se kur duhet shkuar për të kryer këtë misioni. Unë si femër, në radhë të parë si nënë e dy fëmijëve dhe qytetare e vendit tim, i ftoj dhe i motivoj të gjithë pa dallim gjinie apo etnie, të dhurojnë gjak dhe të shpëtojnë jetë. Nuk duhet patjetër të jesh doktor për të shpëtuar jetë, prandaj dhuroni gjak e shpëtoni jetë!”
Të dhurosh gjak do të thotë të japësh shpresë, të shpëtosh jetë!