KFOR-i, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut të Kosovës, ka organizuar dhurimin vullnetar të gjakut të më shumë se 170 ushtarëve. Në këtë ngjarje mori pjesë edhe një delegacion i lartë i KFOR-it, i kryesuar nga komandanti i KFOR-it, Gjeneral Major Ferenc KAJÁRI.
Në një prononcim për radio KFOR-in, Gjeneral Major KAJÁRI, është shprehur i kënaqur që KFOR-i po merr pjesë sërish në këtë ngjarje: “Mendoj se dhurimi i gjakut është një ngjarje shumë e rëndësishme në çdo vend. Këtu në KFOR, për shkak të situatë së krijuar nga covid-i, në vitet e fundit nuk kemi mundur të organizojmë ngjarje të tilla. Por duke qenë se gjendja me Covid-19 është duke u përmirësuar në Kosovë dhe në kampet tona, padyshim që menduam se do të ishte rast i përshtatshëm për të organizuar një dhurim gjaku, në mbështetje të qendrës së transfuzionit të gjakut, sepse gjaku është shumë i rëndësishëm në kujdesin mjekësor. Meqenëse KFOR-i është këtu për të mbështetur Kosovën, mendoj se kjo mbështetje nuk duhet të jetë vetëm në fushën e ruajtjes së paqes e sigurisë dhe të sigurisë ushtarake, por ne gjithashtu duhet të mbështesim zhvillimin e shoqërisë dhe mirëqenien e njerëzve këtu në Kosovë dhe të mbështesim sistemin shëndetësor si dhe brenda mundësive dhe aftësive tona të sigurojmë gjak. Unë mendoj se është një mënyrë e mirë për të treguar se ne jemi të kujdesshëm.”
Ministri i Shëndetësisë, Dr. Rifat Latifi, i pranishëm në këtë ngjarje, organizimet e tilla i sheh si shumë të dobishme: “Më lejoni të shpreh mirënjohjen time të thellë për organizimin e këtij aksioni madhështor humanitar dhe rëndësinë e tij për jetën e njerëzve. Prandaj, sot shpreh mirënjohjen time të dyfishtë: një, për përkushtimin që keni bërë me vite në ruajtjen e sigurisë dhe paqes në Kosovë, për të gjithë banorët e Kosovës dhe dy, për ndihmën që po e jepni për shëndetësinë e Kosovës. Këta ushtarë paqeruajtës po bëjnë dhuratën më të mirë për jetën e dikujt tjetër dhe në këtë mënyrë po bëhen pjesë e ekipit mjekësor që ka vështirësi çdo ditë, në sallat e operacionit, në sallën e lindjes, apo në reparte të terapisë intensive. Ju jeni heronjtë tanë.”
Edhe Komandant Rreshter Major i COM KFOR-it, Tamas Zsiros, ndau përshtypjet e tij për këtë ngjarje: “KFOR-i po organizon dhurimin e gjakut në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut të Kosovës. Është një eveniment i mrekullueshëm sepse nuk e kemi organizuar për disa vite, për shkak të situatës me pandeminë, ndaj është një mundësi e mirë për të vazhduar bashkëpunimin tonë të përbashkët. Kjo është shumë e rëndësishme sepse KFOR-i është këtu për të përkrahur autoritetet lokale, por edhe të gjitha komunitetet.”
Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut të Kosovës, Bukurije Zhubi, u shpreh shumë e kënaqur me ripërtëritjen e bashkëpunimit me KFOR-in për dhurimin e gjakut pas dy vitesh, për shkak të rrethanave të krijuara nga pandemia: “U bëj thirrje të gjithëve, pa dallim kombësie, feje e gjinie, që të gjithë të vazhdojnë të dhurojnë gjak për t’iu kthyer buzëqeshjen dhe dëshirën për jetë të gjithë atyre pacientëve që kanë nevojë për gjak. Me këtë rast dua të falënderoj të gjithë organizatorët e kësaj ngjarjeje, shumë të rëndësishme për ne dhe për KFOR-in si dhe për të gjithë ata që sot dhuruan gjak, sepse ata u bënë heronj të gjallë të kësaj ngjarjeje.”
Motoja e kësaj ngjarjeje ishte “Dhuro gjak, shpëto jetë, bëhu hero”.