Dhurimi i gjakut është një nga veprimet më humane dhe jetike, që luan një rol të pazëvendësueshëm në shpëtimin e jetëve njerëzore. Në spitale dhe qendra mjekësore në mbarë botën, nevoja për gjak të sigurt dhe të mjaftueshëm është e vazhdueshme, veçanërisht në raste urgjente, operacione kirurgjike dhe trajtime të pacientëve me sëmundje të rënda.
Çdo vit më 14 qershor, shënohet “Dita Botërore e Dhuruesve të Gjakut”, në nder të të gjithë atyre që dhurojnë gjak dhe kontribuojnë në shpëtimin e jetëve njerëzore. Qëllimi i kësaj dite është të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e dhurimit vullnetar dhe të rregullt të gjakut si dhe të falënderojë të gjithë dhuruesit për kontributin e tyre jetik në shoqëri.
Përmes kësaj dite, në vendin tonë dhe në gjithë botën, organizatat shëndetësore bëjnë thirrje për solidaritet dhe përgjegjësi sociale, duke theksuar se furnizimi i qëndrueshëm me gjak të sigurt është thelbësor për sistemet shëndetësore.







