Dhuna në familje, është prezente në shumë shoqëri, pavarësisht nga niveli i zhvillimit ekonomik apo social, është një fenomen global dhe prek të gjitha shtresat e popullsisë, duke përfshirë dhunimin e të drejtave qytetare, kulturore, ekonomike, politike dhe sociale të njeriut. Të dhënat alarmante nga e gjithë bota, lidhur me shkallën e dhunës në familje, konfirmojnë faktin se dhuna në familje është një problem i madh ndërkombëtar. Kujtojmë konferencën e Kombeve të Bashkuara, në Pekin, në vitin 1995, ku u theksua se dhuna ndaj gruas, përbën një dhunim dhe shkelje të të drejtave njerëzore dhe është një pengesë në arritjen e barazisë, zhvillimit dhe paqes në shoqëri.
Se ku qëndron Kosova aktualisht për sa i përket këtij fenomeni, Radio KFOR-i kontaktoi drejtoreshën rajonale të Policisë Rajonale në Mitrovicë, Kolonele, Afërdita Mikullovci, e cila nënvizoi: “Në dy vitet e fundit, kemi implementuar Projektin shumëdimensional “Familja nuk është vetëm çështje e rëndësishme, AJO ËSHTË GJITHÇKA”, projekt ky i orientuar mbi dhunën në familje, duke angazhuar shumë akter të rëndësishëm dhe disa OJQ, që kryesisht merren me të drejtat e grave, të drejtat e njeriut dhe barazinë gjinore në rajonin e Mitrovicës (Jug dhe Veri), ku qëllimi i projektit/fushatës në fjalë, i referohet parandalimit të dhunës në familje, veçanërisht gjatë pandemisë Covid-19. Aktivitetet e kryera gjatë këtyre muajve, janë: Ligjërata Online me studentë të shkollave të mesme, që u mbajtën nga Policia e Kosovës dhe psikologët, në lidhje me temën e Dhunës në Familje dhe pasojat nga kjo dukuri negative, ku disa studentë të shkollave të mesme, vendosën të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës dhe një OJQ, për të shpërndarë thënie të ndryshme / citime, mbi dhunën në familje dhe gjininë, ku studentët dolën me thëniet / citimet dhe fotografitë e tyre dhe çdo ditë për një muaj rresht, ata ndanin ato thënie dhe fotografi. Pastaj viktimat e rasteve të dhunës në familje, janë kontaktuar nga Policia e Kosovës përmes telefonit, duke u interesuar për mirëqenien e tyre dhe duke i njoftuar ata që psikologët e qendrës së traumës janë të interesuar t’i ndihmojnë ata në rast nevoje dhe numrat e kontaktit të psikologëve iu dhanë viktimave”, nënvizoi Kolonele, Afërdita Mikullovci.
Theksojmë se çdo veprim apo mosveprim i një personi ndaj një personi tjetër, që sjell si pasojë cenim të integritetit fizik, moral, psikologjik, seksual, social dhe ekonomik përbën dhunë. Dhuna në familje, është çdo akt dhune e ushtruar ndërmjet personave që janë apo kanë qenë në marrëdhënie familjare.