Pas shtrirjes globale të vaksinave kundër CoViD-19, lindi nevoja që organizmi ynë të ketë imunizim më të gjatë ndaj virusit. Prandaj, institucionet shëndetësore gjithandej botës inkurajuan qytetarët që të vaksinoheshin me dozën e tretë ose dozën përforcuese, në mënyrë që imuniteti i organizmit të rritet dhe kështu të evitohen rastet klinike të infektimeve me CoViD-19 dhe pasojat post-covid.
Edhe në Kosovë, qysh kur ka filluar administrimi i dozës së tretë dhe përforcuese kundër CoViD-19, në vazhdimësi është rritur interesimi i qytetarëve për t’u vaksinuar. Duke iu referuar statistikave të Ministrisë së Shëndetësisë, bazuar në të dhënat e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë, deri më sot në vendin tonë janë dhënë mbi 100.000 doza përforcuese dhe doza të treta të vaksinës kundër CoViD-19.
Ndryshe, situata me pandeminë në Kosovë është paraqitur stabile tash e disa javë, me numra në rënie të vazhdueshëm të infektimeve të reja me CoViD-19.