Sot, zjarrfikësit z. Agim Stublla, z. Fitim Zhitia, z. Armen Drejta dhe z. Nevzat Doroci, ishin të ftuarit e radhës në Radio KFOR, për të folur për përvojën e tyre të punës shumëvjeçare, në kuadër misionit paqeruajtës të KFOR-it. Dëgjuesit patën mundësi që të kuptojnë më shumë për punën e departamentit të zjarrfikësve, në kuadër të KFOR-it, në mbrojtjen e të gjithëve në situata emergjente.
Zjarrfikësi, Agim Stublla, tha se ndihet i lumtur sa herë i kujton ditët e tij të para të punës: “Ne ishim të lumtur fillimisht me hyrjen e NATO-s në Kosovë, në ato ditët e para edhe aplikova për punë dhe që atëherë jam pjesë e këtij misioni. Kemi raporte shumë të mira me të gjithë ushtarët që janë në Kosovë dhe gjithashtu jemi të lumtur e krenarë, që jemi pjesë e këtij misioni.”
Ndërkohë, zjarrfikësi Fitim Zhitia tregoi se puna në ekip çdoherë rezultatin me sukses: “Një ditë e zakonshme nis kur grumbullohemi të gjithë bashkë dhe bëjmë kontrollimin e mjeteve, pastaj vazhdojmë me ushtrime, inspektime e gjithashtu edhe rastet të cilat duhet të intervenojmë. Është një punë fisnike që duhet kryer me përpikëri.”
Për zjarrfikësin, Armen Drejta, është nder dhe privilegj që ti shërbej misionit të KFOR-it: “Është një ndjenjë e veçantë që jemi pjesë e këtij misioni, e sidomos si zjarrfikës. Kemi kujtime të bukura dhe gjithashtu mund të përmendim faktin se zjarrfikësit mes vete konsiderohen si vëllezër.”
Nder dhe privilegj, që punon në KFOR, është edhe për zjarrfikësin Nevzat Doroci: “Profesioni i zjarrfikësit është një ndër profesionet më fisnike. Ndihem i privilegjuar që këtë mision fisnik po e zhvilloj në kuadër të misionit të KFOR-it, në Kosovë.”
Zjarrfikësit janë heronjtë tanë, që me punën e tyre shpëtojnë jetë nga zjarri, rrënojat dhe e rrezikojnë jetën e tyre, për të mbrojtur vëllezërit dhe motrat e tyre zjarrfikës si dhe të gjithë njerëzit tjerë, pa dallim dhe këtë e treguan sot, në kuadër të ‘Emisionit të Mëngjesit’, në Radio KFOR.