Departamenti i Psikologjisë në UP (Universitetin e Prishtinës), së bashku me studentët e programit master në kuadër të web faqes së UP-së, kanë hapur faqen online shendetimendor.uni-pr.edu. Faqja në fjalë synon të ofrojë video psiko-edukuese për shëndetin mendor dhe ruajtjen e tij gjatë pandemisë COVID-19.
Në lidhje me këtë kujdes të ofruar nga UP-ja, Radio KFOR-i kontaktoi profesoreshën e psikologjisë në ‘Universitetin e Prishtinës, Natyra Agani, e cila na tregoi rreth këtij projekti që pritet të sjellë dobi të shumta për qytetarët:
“Situata e fundit e krijuar me pandeminë COVID-19 dhe masat e marra si kufizimi i lëvizjes, mungesa e kontakteve sociale, ndryshimi i rutinës ditore dhe frika nga e panjohura, mund të shkaktojnë potencialisht parehati të përgjithshme, që mund të manifestohet me stres dhe ankth me intensitet të ndryshëm tek qytetarët. Prandaj, departamenti i Psikologjisë në bashkëpunim me studentët ideuan dhe realizuan një faqe praktike dhe të thjeshtë, ku qytetarët mund të marrin informata praktike përmes videove psiko-edukuese për gjendjet e caktuara të shëndetit mendor si stresi apo ankthi. ”
Sipas profesoreshë, Agani, secila seancë ka informata për gjendjet e caktuara dhe rekomandimet për ushtrime, se si mund të zbutet intensiteti i këtyre gjendjeve të shëndetit mendor. Gjatë javëve në vijim planifikohen që të shtohet edhe një seancë specifike për familje dhe fëmijë.
Për të ndjekur këto seanca online, ju mund të klikoni në këtë faqe: shendetimendor.uni-pr.edu