Demokracia është më shumë se një sistem qeverisjeje, ajo është fuqia e qytetarëve për të shprehur zërin e tyre, për të marrë pjesë në vendimmarrje dhe për të kërkuar respektimin e të drejtave dhe lirive themelore. Ajo mbështetet në institucione të forta, zgjedhje të lira, sundim të ligjit dhe një shoqëri ku çdo zë ka rëndësi. Pikërisht rëndësinë e këtyre vlerave e rikujton çdo vit 15 shtatori, që shënon ‘Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë’. E shpallur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, kjo ditë synon të theksojë rëndësinë e demokracisë, pjesëmarrjes qytetare dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut.
Data e sotme, na shërben edhe për të reflektuar mbi gjendjen e demokracisë në botë dhe rëndësinë e institucioneve demokratike.
Demokracia mbetet një përgjegjësi e përbashkët, ndërsa liria e shprehjes, pjesëmarrja e qytetarëve dhe respektimi i të drejtave të njeriut janë ndër shtyllat kryesore të një shoqërie të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.







