Në kohën e pandemisë ‘Covid-19’, të prekur janë edhe të dashuruarit, të cilët këtë vit kanë planifikuar martesën e tyre, por për shkak të situatës shumica prej tyre kanë realizuar dasmat e tyre vetëm me anëtarët e familjes, përderisa të tjerët janë detyruar t’i shtyjnë ato, deri në normalitetin e situatës.
Kësisoj janë detyruar të veprojnë edhe çifti Zana Syla dhe Petrit Hajdari, të cilët që nga viti i kaluar kishin organizuar çdo detaj të dasmës së tyre. Për Radio KFOR-in, më shumë na tregoi vet znj. Zana: “Që nga vendi i mbajtjes së dasmës, aranzhimi i këngëtarit, termini për grim dhe flokë, lista e mysafirëve që do të ishin të ftuar dhe gjithçka tjetër e kishim bërë gati për muajin gusht të këtij viti, por ky virus na prishi gjithçka. Dasmën e kemi shtyrë, sepse po dëshirojmë që ta bëjmë ashtu siç e kemi ëndërruar gjithmonë.”
Dashuria e ndërsjellë, respekti dhe përkushtimi ndaj njëri tjetrit, janë tre faktorët kryesorë që e bëjnë një martesë ideale, prandaj pavarësisht mos kurorëzimit përmes dasmave të mëdha, dashuria është ajo që triumfon përtej gjithçka tjetër.